Një grua ka humbur jetën ditën e sotme pasi është qëlluar me armë zjarri nga një person në Ferizaj të Kosovës.
Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në një Qendër për Punë Sociale, ku mbeti i plagosur edhe një person tjetër.
Mediat në Kosovë bëjnë të ditur se është arrestuar autori i dyshuar i kësaj ngjarje, i cili pas krimit ishte larguar fillimisht në drejtim të panjohur.
“Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje”, njoftoi policia e Kosovës.
Autoritetet lokale kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj vrasjeje. Në lidhje me rastin ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu e cila tha se pavarësisht angazhimit të institucioneve “gratë nuk janë ende të sigurta”.
“Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromis në adresimin e këtyre rasteve”, shkroi Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook.