Një emigrant shqiptar në Spanjë rreth 43 vjeç, identiteti i të cilit nuk zbulohet ende, është ekzekutuar me armë zjarri. Mediat spanjolle shkruajnë se ngjarja ka ndodhur në Reus të provincës Tarragona në Katalonjë.
Pas mesnate, rreth orës 00:45 të ditës së sotme, banorët vendas njoftuan policinë se kishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Kur shkuan në vendngjarje, autoritetet gjetën të shtrirë në tokë një person, i cili pas verifikimeve rezultoi të jetë me origjinë shqiptare.
Ai kishte disa plagë në trup të shkaktuara nga armët e zjarrit. Policia spanjolle ka nisur hetimin për të zbardhur shkaqet e këtij krimi dhe për të identifikuar autorin e vrasjes së shqiptarit.





