Tiranë, 21 qershor 2014  – Një 21-vjeçar është qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në Tiranë dhe ka humbur jetën sot në Spitalin Ushtarak. 

Burime nga policia bëjnë të ditur se viktima është 21-vjeçari Saimir Ziza, vëllai i shtetasit Shpëtim Ziza, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 10-vjeçarit Besim Çenga, në tetor të vitit 2007 në Peshkopi. 

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22.30 të së premtes në rrugën “5 Maji”, në afërsi të Medresesë në Tiranë, ku Saimir Ziza është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë. 

Familjarët e viktimës thonë se 21-vjeçari është vrarë për hasmëri nga pjesëtarë të fisit Çenga. Ndërkohë policia po vijon hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e vrasjes. 

Në kohën kur u prangos dhe gjatë gjyqit kundër tij, Shpëtim Ziza e ka pranuar krimin duke pohuar se e kishte përdhunuar vogëlushin dhe më pas e kishte mbytur me lidhëse këpucësh. 
Policia tha se Shpëtim Ziza, në atë kohë 19-vjeç, është një i sëmurë psikik me kartelë mjekësore. 

Trupi pa jetë i 10-vjeçarit Cenga u gjet në një përrua afër fshatit Tomin të rrethit të Dibrës, 7 km larg Peshkopisë, 5 ditë pas zhdukjes më 23 tetor 2007. Ai ishte fëmija i madh i shtetasit Ylli Cenga, banor i lagjes ‘Kamen’ të qytetit të Peshkopisë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/