Vorë, 27 shkurt 2014 – Një automjet ka shpërthyer pasditen e sotme shumë pranë Bashkisë së Vorës duke shkaktuar vdekjen e drejtuesit të tij. Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 17.00. Mësohet se shpërthimi ka ndodhur ndërsa drejtuesi i mjetit, shtetasi Baki Xhabafti e ka ndezur atë.

Në mjetin tip 'Renault' me targë AA154DZ,  dyshohet të jetë vendosur një sasi e madhe eksplozivi. është vendosur një sasi e madhe tritoli, c'ka duket edhe nga dëmtimet e shumta që i ka shkaktuar mjetit, ndërsa objektiv duket të ketë qënë pikërisht, drejtuesi Xhabafti.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive hasmërie që në vitin 1995 mes familjes së viktimës dhe familjes Ymeri, në Selitë. Baki Xhabaftit i kanë vrarë 2 vëllezër, babanë dhe xhaxhain ndërsa nga familja Ymeri janë vrarë 5 persona.

Viktima Baki Xhabafti është një i afërm i Shkëlqim Xhabaftit, i njohur si i forti i Selitës, dhe i vrarë në vitin 1998 nga rivalët e tij të bandës së Yzberishtit dhe konkretisht nga krerët e saj, vëllezërit Nazmi e Ilir Avdillari.

Mësohet se, viktima Baki Xhabafti, rreth 40-vjeç, është pronar i dy bizneseve në Selitë dhe i një servisi automjetesh në Vorë, ku dhe iu bë atentati me eksploziv. 

Shpërthimi i mjetit vjen vetëm një ditë, pasi një tjetër atentat me eksploziv ndodhi në Tiranë. Shpërthimi i 500gr C4 në një lokal në kryeqytet shkaktoi plagosjen e 3 personave.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/