24 qershor 2015 – Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Lazarat, ku gjatë një operacioni policor, ka mbetur i vrarë një efektiv i Reneas dhe dy policë të tjerë janë plagosur.
Polici që mbeti i vrarë është Ibrahim Basha, 31 vjeç, nga Tirana.
Sipas informacioneve të para, efektivi është qëlluar me plumb në kokë nga një shtëpi në qendër të Lazaratit. Ndërsa dy efektivët e tjerë që u plagosën janë Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ata u transportuan me helikopter nga Lazarati në Spitalin e Traumës në Tiranë ku do marrin mjekimin e specializuar.
Në një njoftim zyrtar, policia njofton se gjatë natës së kaluar një grup personash të armatosur ka qëlluar me armë në drejtim të shërbimeve të Policisë së Shtetit që kryejnë shërbim në fshatin Lazarat, në Gjirokastër. Herët në mëngjes, Policia lokale, FNSH dhe RENEA kanë filluar një operacion për kapjen e personave që kishin qëlluar me armë.
Në momentin që policia kishte bllokuar makinën me autorët e dyshuar e të armatosur, është qëlluar mbi efektivët nga një banesë aty pranë, ku për pasojë humbi jetën Ibrahim Basha dhe u plagosën dy efektivët e tjerë.
Kjo ngjarje e rëndë vjen një vit pas superaksionit antikanabis të ndërmarrë nga Policia e Shtetit.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





