MOSKË – Një snajper me pushkë të precizionit të lartë qëlloi sot për vdekje në qendër të Moskës, Aslan Usojanin, i quajtur ndryshe si “gjyshi Hasan”. 75 vjeçari konsiderohej nga autoritetet moskovite padrinoja i mafias ruse.
Usojanin u kishte shpëtuar shumë atentateve, ndërmjet të cilave edhe atij të vitit 2010, kur një breshëri kalashnikovi e kishte plagosur rëndë në bark, përgjatë rrugës Tverskaja, shumë pranë Kremlinit.
Policia mendon se Usojanin mund të ketë mbetur viktimë e një lufte klanesh që ka shkaktuar shumë të vdekur në Europë. Usojanin lindi në vitin 1937 në Tbilisi, Gjeorgji, nga prindër me origjinë kurde dhe për herë të parë ishte dënuar në moshën 19-vjeçare.
Gjatë gjithë jetës së tij kriminale, Usojanin është akuzuar për grabitje, shpërndarje droge dhe vrasje që nga periudha sovjetike e më pas në Rusinë postkomuniste.