Një fotoreporter është viktima e radhës e sulmeve ruse në Ukrainë, që vazhdojnë pa ndërprerje në ditën e 38-të.
Maks Levin, babai i katër fëmijëve u vra në kryeqytetin ukrainas, Kiev, sipas zyrtarëve vendas.
Levin u zhduk më 13 mars teksa ishte në krye të detyrës, ndërsa trupi i tij u gjet ditën e djeshme në fshatin Huta-Mezhyhirska, raporton Sky News.
Shefi i fotografit tha se ai ka qenë i shoqëruar me një gazetar tjetër, Alexei Chernyshov. Deri më tani nuk ka një informacion për vendodhjen dhe gjendjen shëndetësore të gazetarit.
Më 23 mars, në Kiev u vra dhe gazetarja Oksana Baulina, teksa po filmonte shkatërrimin pasi trupat ruse bombarduan rrethin Podolsk të Kievit.
Më herët, më 13 mars, ish-gazetari i “New York Times”, Brent Renaud u vra nga rusët në Irpin, ndërsa dy gazetarë të tjerë që ishin me të mbetën të plagosur.





