Ish-futbollisti rus, Aleksey Bugaev, ka humbur jetën në luftën në Ukrainë. Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga avokati i tij, Anton Smirnov, dhe babai i tij.

Bugaev, 43 vjeç, ishte rekrutuar në ushtri për të shmangur një dënim prej 9 vitesh e gjysmë burg, që i ishte dhënë në vitin 2023 pas arrestimit për trafik droge.

Sipas burimeve të raportuara nga NOS, trupi i tij ende nuk është rikuperuar për shkak të luftimeve të vazhdueshme.

Gjatë karrierës së tij si futbollist, ai kishte luajtur për skuadra si Torpedo e Moskës, Lokomotiva e Moskës, Tom Tomsk, Khimki dhe Krasnodar.

Ai gjithashtu kishte bërë 7 paraqitje për kombëtaren ruse, duke përfshirë dy ndeshje në Kampionatin Evropian të vitit 2004 në Portugali.

Pas turneut, Bugaev filloi të kishte probleme me alkoolin dhe u tërhoq nga futbolli në vitin 2010, në moshën vetëm 29 vjeç.

Më 28 tetor 2023, ai u arrestua në qytetin e Krasnodarit, në jug të Rusisë, me 495 gramë mefedron, një stimulues i ngjashëm me amfetaminën.

Ai e pranoi fajin dhe pothuajse një vit më vonë u dënua me 9.5 vite burg për shpërndarje droge.