Një polic i Kosovës është vrarë në orët e para të mëngjesit të së dielës në veri ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Mediat raportojnë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviçit ku është sulmuar patrulla policore. Klan Kosova se polici i vrarë është identifikuar si Afrim Bunjaku.
Sipas burimeve, disa persona kanë bllokuar rrugën Mitrovicë-Leposaviç me dy kamionë dhe kanë shtënë në drejtim të automjetit policor. Lajmi është konfirmuar edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili e cilësoi si të mbështetur nga Beogradi. Sipas tij, polici i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.”, shkruan Kurti.