Itali, 6 prill 2014 – Një i ri shqiptar është vrarë me pistoletë sot në provincën e Porto Cesareo, në jug të Italisë. Mediat italiane raportojnë se Qamil Hyraj, 23 vjeç punonte në fermën “Masseria Roi". Ai u gjet i vrarë në furgonin e fermës.
Trupi u zbulua rreth orës 15:00 nga pronari i fermës që po i çonte për të ngrënë djaloshit, i cili prej shumë kohësh punonte si bari dhe i ruante kullotat e kopenë e bagëtive punëdhënësit italian. Mbi trupin e tij ishte zbrazur një karikator pistolete, por vetëm një plumb në ballë ka qenë vdekje prurës.
Policia italiane po heton për të zbuluar vrasësit e Qamilit. Me interes për policinë janë edhe udhëtimet e shpeshta të 23-vjeçarit për në Shqipëri. Pronarët e një furre buke në qytezën e Torre Lapilos po ashtu janë pyetur nga policia italiane si persona, që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Edhe pse ndihma e shpejtë mbërriti në kohë rekord, ishte tepër vonë për të riun shqiptar. Nga hetimet paraprake dyshohet se vrasja është e stilit mafioz. Banorët e zonës e njihnin të riun shqiptar dhe për shumë prej tyre ai ishte pun0δtor dhe njeri i qetë. Vrasja ka ndodhur në një zonë të izoluar, nëpër të cilën shkohet duke kaluar nga një rrugë e keqe që përshkohet kryesisht nga bagëtitë.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





