Ekzekutohen në Ekuador një shqiptaro-malazez dhe bashkëshortja e tij ekuadoriane. Mediat vendase shkruajnë se 64-vjeçari Fadil Kaçaniç dhe bashkëshortja e tij 63-vjeçare ekuadoriane u gjetën të vrarë në një zonë të banuar pranë qytetit të Guajakilit, në perëndim të vendit.
Dyshohet se shqiptaro-malazezi ishte i përfshirë në trafikun e kokainës. Shtypi ekuadorian shkruan se Kaçaniç ishte qëlluar për vdekje me tre plumba, ndërsa bashkëshortja ishte goditur me sende të forta. Krimi ka ndodhur të mërkurën.
Trupat e tyre u gjetën pranë një autostrade jo shumë larg vendit ku banonin. Hetuesit thanë se bëhet fjalë për disa pjesëmarrës në krim, të cilët hynë në shtëpinë e tyre të veshur si policë. Pasi i vranë, ata u kishin marrë edhe një shumë të madhe parash që dyshohet se Kaçaniç i kishte përfituar nga trafiku i drogës. Ekzekutorët lëviznin me dy automjete me xhama të errët.
Hetime po kryhen për lidhjet mes këtij rasti dhe ngjarjeve të dy viteve të kaluara. Rasti i parë është ai i majit të 2016-ës kur shqiptari Ilir Hidri u qëllua për vdekje në Guajakil. Ndërsa i dyti, plagosja e kosovarit Remzi Azemit, të dy të dyshuar si trafikantë kokaine. /Tv Klan/





