Një shtetas shqiptar ka gjetur vdekjen gjatë një grabitjeje në komunën greke të Koridhalosit në Athinë. I ndjeri 51-vjeçar që punonte rojë në një kompani transporti mori goditje të forta në kokë dhe trup. Një tjetër episod por pa pasoja për jetën u shënua edhe në burgun e Koridhalosit, por këtë radhë një shtetas shqiptar ishte agresori.
Autoritetet greke po hetojnë shkaqet e një episodi dhune që la të vdekur të hënën një shtetas shqiptar.
51-vjeçari që nuk është identifikuar dyshohet se humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga grabitësit që po tentonin të vidhnin kompaninë e transportit ku ai punonte si rojë.
I ndjeri raportohet se telefonoi të bijën e tij për ta informuar mbi rrethanat e ngjarjes pak orë pas mesnatës.
Me të nxituar në vendngjarje vajza e viktimës e gjeti të atin e saj të lidhur më litar dhe të përgjakur nga goditjet me objekte metalike në kokë.
Pas njoftimit të policisë, 51-vjeçari u transportua drejt spitalit të Atikës, por plagët e marra dhe gjendja fizike e rënduar edhe nga ndërhyrja në zemër që ai kishte kryer pak kohë më parë, rezultuan fatale për viktimën.
Një tjetër incident por pa pasoja vdekjeprurëse u regjistrua në të njëjtën komunë athinase pak orë më herët.
Një i burgosur me shtetësi shqiptare raportohet se goditi për shkak të detyrës gardianin e burgut të Koridhalosit.
Sulmi me një objekt të improvizuar dyshohet se u krye nën efektin e drogës dhe la përkohësisht pa ndjenja oficerin grek, duke i shkaktuar plagë me disa qepje.
Shoqata greke për mbrojtjen e oficerëve të burgut akuzoi Ministrinë greke të Drejtësisë si shkaktare të situatës kërcënuese në institucionet vendore të dënimit, dhe se politikat e gabuara i kanë kthyer qelitë greke në epokën e mesjetës. /Ora News.tv/





