27 qershor 2015 – Një shqiptar 60-vjeçar është vrarë ditën e djeshme gjatë luftimeve kundër grupit ekstremist, ISIS në Siri. Mediet kosovare shkruajnë se, Refik Horozi, me origjinë nga Prishtina, është shqiptari i parë që luftonte krah kryengritësve kurdë kundër ISIS-it, në Siri.
Mediet kurde kanë shkruar për 60-vjeçarin shqiptar, i cili pavarësisht moshës, iu bashkua luftës kundër terrorizmit. Ai u radhit përkrah kurdëve që prej 15 shtatorit të vitit të shkuar.
Sipas dëshmive, Horozi ishte një nga luftëtarët më të përkushtuar, i cili ka qëndruar në front në momentet më të vështira gjatë luftimeve në Kobani. Militantët e ISIS-it e rrethuan Kobanin, qytet verior pranë Sirisë në kufi me Turqinë, më 13 shtator.
Luftëtari shqiptar me nënshtetësi turke vazhdoi të luftonte deri në momentet e fundit të jetës së tij. Horozi lindi në Sinop, një qytet në veri të Turqisë, kur prindërit e tij u shpërngulën nga Kosova. (Fotoja është siguruar për portalin 'Lapsi.al')
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/