Probleme me gjurin? Mund të jetë pasojë e një kocke të vogël, të menduar si të zhdukur për shkak të evolucionit, por që tani po rikthehet sërish.
“Fabella” gjendet te disa njerëz e zhytur poshtë tendinave në pjesën e pasme të gjurit. Mjekët mendojnë se është e panevojshme dhe mund të jetohet fare mirë pa të, por duket se mjaft persona që vuajne nga artriti e kanë këtë kockë rudimentare.
Një ekip i “Imperial College” ka publikuar rezultatet e studimit të tij te revista e anatomisë. Dr. Michael Berthaume dhe kolegët e tij janë detyruar të shfletojnë literaturë mjekësore të lidhur me gjurin, të shtrirë në 150 vite dhe 27 vende të ndryshme.
Nga viti 1918 deri në 2018-n, raportet për kockën “fabella” në nyjen e gjurit janë shtuar ndjeshëm. Kërkimet e tyre i ka ndihmuar edhe përdorimi i skanerave, si dhe të dhënat më të sakta mjekësore nga popullsia globale në rritje.
Te majmunët e vegjël është vënë re që kjo kockë mund të ndihmojë në rritjen e avantazhit mekanik të muskulit, por kur paraardhësit e majmunëve të mëdhenj dhe njerëzve evoluan, ajo u zhduk, ose të paktën kështu u mendua.
Edhe pse personat e prekur nga osteoartriti kanë dy herë më shumë gjasa ta kenë këtë kockë në gju, nuk ka ende prova të qarta që të dëshmojnë se ajo po e shkakton problemin.