Në Serbi mbërriti kontigjenti i parë i ndihmave ushtarake nga Moska me tanke dhe mjete të blinduara, të cilat Rumania nuk i lejoi javën e kaluar të kalonin tranzit në territorin e saj për shkak të sanksioneve të BE-së ndaj Moskës. Presidenti serb Aleksander Vuçiç falënderoi sot homologun rus Vladimir Putin për modernizimin e ushtrisë së vendit të tij, por nuk pranoi të tregonte se si kishin mbërritur pajisjet ushtarake. Ndihmat ushtarake nga Rusia për Serbinë kanë shkaktuar shqetësime në Perëndim se mund të rrezikojnë paqen e brishtë në Ballkan.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç falenderoi sot Presidentin e Rusisë Vladimir Putin për medernizimin e forcave ushtarake të Serbisë duke i dhënë vendit të tij tanke dhe mjete të blinduara luftarake.
“Do ta përsëris për ata që nuk e dinë: armët janë dhuratë, mjete plotësisht moderne nga Rusia. Ne nuk kemi paguar për to. Rusia ka paguar për modernizimin e forcave dhe unë i falënderoj. Kjo e shton dukshëm aftësinë tonë ushtarake”.
Presidenti Vuçiç foli gjatë inspektimit të dhjetë mjeteve të blinduara ushtarake që mbërritën së fundmi në një bazë ushtarake serbe.
“Për ne është e rëndësishme që respektuam ligjet ndërkombëtare dhe arritëm të sillnim pajisjet ushtarake në territorin tonë. Si dhe në çfarë mënyre e bëmë, është puna jonë”.
Pajisjet ushtarake mbërritën megjithë kundërshtimin e Rumanisë fqinje për të lejuar kalimin e tyre transit përmes lumit të Danubit për shkak të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Moskës si rezultat i veprimeve të saj në Ukrainë.
Shtypi njofton se Rusia përdori aeroplanë transporti për dërgimin e pajisjeve ushtarake në Serbi.
Rusia e ka ndihmuar Serbinë të modernizojë forcat e saj të armatosura duke ngritur shqetësime për sigurinë në Ballkan.
Serbia ka marrë tashmë 6 aeroplanë luftarakë MiG-29 nga Rusia dhe ndonëse pretendon të jetë ushtarakisht neutrale, po negocion blerje të tjera armësh nga Moska, përfshirë heikopterë luftarakë dhe transporti si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. /VOA