Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka kërkuar falje Gjermanisë për deklaratën e ministrit të Brendshëm serb, Bratisllav Gashiq, lidhur me hetimet për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.
“Ne e verifikuam me pjesëtarët e shërbimit gjerman në 20 ditët e mëparshme, që nga pretendimet e Bratisllav Gashiqit se ata po fshehin vrasësit në rastin e Oliver Ivanoviqit, dhe morëm garanci dhe prova se ata nuk po e fshehin këtë informacion”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se, në emër të Gashiqit, kërkon falje për deklaratën, ndërsa shtoi se shpreson se në të ardhmen do të arrihen “rezultate konkrete”.
Më 21 qershor, ministri Gashiq, në një seancë të Kuvendit të Serbisë, tha se autoritetet serbe “e dinë saktësisht” se kush e vrau politikanin serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq.
“Ne e dimë saktësisht se kush është vrasësi dhe kërkuam nga autoritetet gjermane, nën mbrojtjen e të cilëve ndodhet ai njeri për momentin, që të na japin informacione”, kishte thënë ministri serb, teksa përgjigjej në pyetjet parlamentare.
Një ditë më vonë, më 22 qershor, edhe Gashiq në Kuvend tha se nuk e akuzon Gjermaninë për fshehjen e vrasësit të Oliver Ivanoviqit, por tha se deklarata e tij ishte “transmetuar pa pikëpyetje” dhe kjo i kishte dhënë deklaratës së tij kuptim tjetër.
“Ne i pyetëm autoritetet gjermane se nën mbrojtjen e kujt është ai njeri për moment – pikëpyetje – që të na japin informacion”, tha Gashiq më 23 qershor.
Në transkriptën e seancës së Kuvendit, e cila është publikuar në faqen e internetit të Kuvendit të Serbisë, nuk është vendosur asnjë pikëpyetje në deklaratën e Gashiqit.
Në qershor, qeveria në Berlin hodhi poshtë “insinuatat” e Gashiqit dhe deklaroi se Gjermania nuk e di se kush e vrau politikanin nga Kosova, Oliver Ivanoviq.
Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para ndërtesës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Më shumë se pesë vjet pas vrasjes, çështja ende nuk është zbardhur.
Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka ngritur tri aktakuza për vrasjen e Ivanoviqit.
Në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore dhe aktakuzat përmendin vetëm individë të cilët, siç thuhet, “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për të kryer veprën penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit”. Nuk bëhet i ditur autori i vrasjes apo porositësi i saj.
Akuza u ngritën ndaj policëve Nedeljko Spasojeviq, Radeta Basara, Zharko Jovanoviq, si dhe ndaj sekretares së Oliver Ivanoviqit, Silvana Arsoviq, dhe Marko Roshiq, shtetas i Mitrovicës së Veriut.
Më 19 tetor të vitit 2022, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe M.M. nga komuniteti serb nën dyshimin se është pjesëtar i “grupit të organizuar kriminal” të lidhur me vrasjen.
Hetimet për vrasjen e Ivanoviqit janë duke u zhvilluar edhe nga Prokuroria Speciale e Serbisë, por ky proces është ende në hetimet paraprake.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe e Serbisë nuk bashkëpunojnë, ndërkohë që procedurat në Kosovë kërkojnë ndërmjetësimin e EULEX-it për marrjen e deklaratave të dëshmitarëve./REL