Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka vazhduar replikat me homologun kosovar, Hashim Thaçi, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Vuçiç ka theksuar se Serbia është anëtare e OKB-së dhe do të bëjë çdo gjë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatë.

Presidenti serb ka komentuar edhe lidhjet e forta të shqiptarëve me SHBA-në, duke përcaktuar New York-un si qendrën e forcës për shqiptarët.

“Qendra e forcës shqiptare nuk është në Prishtinë, as në Tiranë, por në New York”, tha Vuçiç, duke shtuar se “Lidhja e tretë e Prizrenit u formua në New York në 1946-n, dhe se na kushtoi shtrenjtë, sepse shuma të mëdha paratë u investuan nga New York-u”.

Sipas Vuçiçit, lobimi i autoriteteve të Kosovës në OKB nuk është i lehtë dhe se detyra e Beogradit është t’ua vështirësojë më shumë punën.

Ndërkohë, ditën e djeshme kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama konfirmoi se është takuar me Vuçiçin në New York, dhe se në muajin tetor do të nënshkruhet marrëveshja për “Shengenin ballkanik”, ku përveç Shqipërisë dhe Serbisë, përfshihet edhe Maqedonia e Veriut. Kosova dhe Mali i Zi e kundërshtojnë këtë projekt, të cilin e konsiderojnë si përpjekje për rikthimin e ish-Jugosllavisë.