Kandidati presidencial i koalicionit qeverisës në Serbi, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se dëshira e tij është që ta vizitojë Kosovën gjatë fushatës zgjedhore dhe se këtë do të mund ta bënte edhe pa marrë leje nga autoritetet në Prishtinë.
Por Vuçiç tha se nuk do ta bëjë një gjë të tillë, sepse “nuk ka kuptim dhe nuk dëshiron të shkaktojë probleme për serbët që jetojnë në Kosovë”.
Lajmi bëhet i ditur nga agjencia serbe e lajmeve Beta, raporton “Klan Kosova”.
Vuçiç këto deklarime i ka bërë në përurimin e stadiumit të Novi Pazarit, ku u tha gazetarëve se “mund të hyjnë në Kosovë përmes vendkalimeve alternative”.
Duke folur për dialogun me Prishtinën, Vuçiç shtoi se Beogradi dëshiron që procesi të vazhdojë.
Ai gjithashtu tha se ai nuk e kupton se përse Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, insiston aq shumë në formimin “e të ashtuquajturës ushtri”.