Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka thënë se Serbia do të vazhdojë të ecë përpara dhe të zhvillohet pavarësisht sulmeve dhe presioneve të shumta të cilat po i bëhen, duke specifikuar këtu vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për taksë ndaj produkteve serbe.
Këto masa të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Vuçiç i ka cilësuar si veprime të cilat njerëzit e civilizuar nuk do t’i bënin.
Deklaratat presidenti serb i ka bërë gjatë hapjes së një spitali në Vranje të Serbisë, shkruan tanjug.
Ditë më parë ai u ka bërë thirrje edhe vendeve të botës, që të bëjnë presion tek Kosova për lagimin e taksës ndaj mallrave serbe.
Megjithatë dje me një vendim të ri të Qeverisë, në vendimin për taksën është përfshirë edhe një listë e produkteve ndërkombëtare të cilat futen në Kosovë përmes Serbisë.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se vendimi për taksën nuk do të hiqet derisa Serbia të njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur.