Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ftuar në CNN, tha se Serbia gjithmonë i respekton të gjitha raportet nga Shtëpia e Bardhë dhe institucionet e tjera nga SHBA, por se raporti i ri nuk ishte plotësisht i saktë.
Ai përkujtoi marrëveshjen me NATO-n që Serbia mund të ketë trupa në zonën afër vendkalimit administrativ me Kosovën.
Vuçiç thotë se nuk ka pasur arsye për t’u shqetësuar dhe se Serbia nuk ka nevojë për konflikt me NATO-n, por e kundërta.
“Dëshirojmë një prani më të madhe të KFOR-it në veri të Kosovës . Kjo është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e popullit serb në Kosovë”, tha ai.
Presidenti serb thotë se gatishmëria luftarake e ushtrisë së tyre nuk është ngritur pranë vijës administrative.
“Serbia është vendi i fundit që kishte nevojë për incidente në Kosovë për shkak të dinamikës së dialogut. Të gjithë e panë se Serbia ishte një partner konstruktiv, dhe pala tjetër nuk bëri asgjë, por spastrim gradual etnik”, tha Vuçiç.
Vuçiç gjithashtu pretendoi se sulmet ndaj serbëve dhe rënia e numrit të serbëve në Kosovë, ka ardhur pasi Albin Kurti u bë kryeministër.