Protestat e serbëve të cilët po kërkojnë largimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç u ashpërsuan ditët e fundit.
Vuçiç i është drejtuar vet grupimit të protestuesve. Ai tha se nuk do të lëvizë nga Presidenca në asnjë lloj rrethane.
‘Unë jam këtu dhe kurrë nuk do të lëviz nga ky vend që janë duke u përpjekur për ta zënë. Unë i kërkoj të gjithë qytetarëve të Beogradit që të mos t’i bashkohen kësaj turme’, ka thënë Vuçiç.
Ai tha se nuk do të largohet nga posti për t’ia liruar vendin ‘fashistëve’ si Bosko Obraviçit dhe Jeremiçit, duke shtuar se nuk do të heqë dorë as nga lufta për Serbinë moderne.
Presidenti serb thirri përkrahësit e Serbisë ‘moderne’ që të mos vijnë në Beograd për tiu bashkuar një numri të vogël njerëzish rreth Presidencës.
‘Unë jam në vendin e punës, pra në Presidencë. Kurrë nuk do të qëndrojë larg, apo i fshehur, sepse ajo për të cilën luftoj vlen më shumë se jeta. Nuk do t’ua lë vendin fashistëve dhe hajdutëve që shkatërruan tokën’, tha Vuçiç.
‘Lus përkrahësit e Serbisë moderne të largohen nga turma e vogël e njerëzve të dhunshëm, që janë 400 apo 500. Ata janë një bandë e fashistëve që dëshirojnë shkatërrimin e vendit’, ka thënë presidenti serb.
Protestuesit gjatë ditës së djeshme hynë më forcë në Radio Televizionin e Serbisë, por më pas u nxorën nga policia.