Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se do të dalë para popullit me propozimin e tij për “zgjidhjen e përhershme të çështjes së Kosovës” dhe më pas do të jetën qytetarët serbë ata që do të vendin për të ardhmen.
“Nuk ka asgjë të bukur për Kosovën që mund të ofrojmë apo të fitojmë. Vetëm mundime dhe gjëra të vështira. Por, unë do të dal para popullit dhe do ta them propozimin tim. Nuk do të fshihem dhe populli do të sjellë vendimin për të ardhmen e tij”, u tha Vuçiç gazetarëve në Kralevë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Vuçiç tha se vendimi për referendum do të merret pasi të arrihet një zgjidhje kompromisi, e cila nuk do të jetë në kurriz të qytetarëve.
Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë zhvilluar të dielën rrethin e fundit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. Me këto bisedime, që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, synohet të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme për normalizimin e raporteve.
Vuçiç po ashtu i falënderoi qytetarët serbë të Kosovës me rastin e Vidovdanit, për, siç tha, “ruajtjen e vendit të tyre”.
“Pak serbë kanë mbetur në Kosovë dhe dua t’i falënderoj për ruajtjen e vendit tonë. Ne do të luftojmë me të gjitha mjetet politike për t’iu garantuar sigurinë”, tha Vuçiç.
Vidovdani, apo Dita e Shën Vidit, shënohet më 28 qershor dhe lidhet me përvjetorin e 629-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht humbjes së forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.