Presidenti i Francës, Emmanuel Macron do ta vizitojë Serbinë në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit.
Kjo u bë e ditur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në një takim për media sot gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Londër.
Ai tha se ka pasur një takim të gjatë me Macron për Kosovën, bashkëpunimin bilateral, çështje gjeopolitike dhe integrimin evropian të Serbisë, por nuk ka dhënë më shumë detaje.
Vuçiç ka takuar edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky me të cilin ka diskutuar për “çështje dypalëshe dhe situatën politike”. Ndër tjera, Vuçiç tha se ai “po pret ende presion” që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë.