Një ditë para votimit në Parlamentin e Kosovës të ligjeve për transformimin e FSK-së në Ushtri, reagon Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Ai tha se kjo nismë është e paligjshme, por gëzon mbështetjen e ndërkombëtareve.

“Kosova është problemi ynë më i madh, sidomos pas lëvizjes së Prishtinës për formimin e ushtrisë, që nuk është e bazuar as në ligj e as në Rezolutën 1244. KFOR-i e ka për detyrë ta shpërbëjë ushtrinë e Kosovës. Por ata nuk do ta bëjnë, pasi thonë se gjithçka ka ndryshuar pas shpalljes së pavarësisë”.

Presidenti Vuçiç dha edhe një mesazh për ndërkombëtarët.

“Mos e poshtëroni Serbinë dhe popullin serb, ne nuk do t’ju lejojmë”.

Parlamenti i Kosovës pritet t’i kalojë lehtësisht ligjet për themelimin e ushtrisë, pasi palët janë të unifikuara në këtë nismë. Në një raport të bërë, Euronews njofton se ushtria e Kosovës do të ketë në total 5 mijë trupash ushtarake dhe 3 mijë rezervistë. Buxheti vjetor për ushtrinë do të jetë 98 milionë Euro.