Integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm. Presidenti e kryeministri reagojnë për deklaratat e presidentit serb pa ia përmendur emrin, opozita thotë se Vuçiç nuk mund të flasë për resurset e Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ditën e parë të vizitës së tij në veri të Kosovës u shpreh, se “ka ardhur në Kosovë me idenë që të ruhet paqja dhe stabilitet”, ndërsa do të vazhdojë përpjekjet siç tha “për ta gjetur një zgjidhje për problemet shekullore ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Këtë deklaratë Presidenti serb e bëri nga Diga e Liqenit të Ujmanit, pikërisht aty ku Prishtina zyrtare nuk e kishte me qejf që ta vizitojë Vuçiqi, por se ndali dot për shkak të presionit ndërkombëtar që të lejohet kjo vizitë.
E Vuçiç tha se “në Gazivodë (Ujman) shihet më së miri pesha e problemit me të cilin po ballafaqohemi”. “Ujmani është një liqen shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët”. Andaj, sipas tij, “është me rëndësi që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët”, tha Vuçiç duke nënvizuar se çështja e kufijve, e cila aktualisht po bëhet temë kryesore në bisedimet Kosovë-Serbi, sipas tij, do të jetë më pak e rëndësishme në Evropë.
“Unë nuk mund ta korrigjoj kancelaren Merkel por…”
Presidenti serb e shfrytëzoi vizitën në Kosovë për të komentuar edhe deklaratat e kancelarës gjermane Angela Merkel, e cila tha se e “respekton integritetin territorial” dhe u shpreh kundër ideve për korrigjim apo ndryshim të kufirit. “Unë nuk mund ta korrigjojë kancelaren Merkel por, kjo nuk do të thotë se nuk mund angazhohemi të ndihmojmë popujt tanë. Kurse kur flasim për integritetin territorial, a po flasim për integritetin para vitit 2008 apo integritetin e vitit 2018. E di që ata që janë kundër meje gëzohen me deklaratat e saj, por nëse ajo thotë, ne s’mund ta ndryshojmë atë çka thotë, kjo nuk do të thotë se nuk do të mund t’i ndihmojmë popullit tonë këtu. Jemi të vegjël andaj do të merremi me ekonominë dhe t’i ndihmojmë njerëzit tanë të jetojnë në këto vende”, tha presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.
E nga ana tjetër, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nuk reagoi prerazi për vizitën e Vuçiqit në Kosovë, por, në të njejtën ditë shfrytëzoi rrjetin social për ta përsëritur idenë e tij, që “Lugina e Preshëves duhet t’i bashkohet Kosovës”.
“Vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës më 1 dhe 2 mars 1992 për bashkëngjitje me Kosovën është institucionalizuar tek organet shtetërore të Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë e tyre është ndërkombëtarizuar në pikën më kulminante botërore. Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet”, shkroi Presidenti Thaçi, duke shtuar se “një marrëveshje paqeje me Serbinë, do të sjellë më tepër paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe Kosovës i hapë rrugë të sigurt dhe të shpejtë për në NATO dhe Bashkim Evropian”.
Haradinaj nuk e përmendi drejtpërdrejt vizitën e Vuçiqit në Kosovë
Kryeministri Ramush Haradinaj në postimin e tij në rrjetin social nuk e përmendi vizitën e Vuçiqit në Kosovë, por shkroi se “Kosova është shtet mikpritës dhe që respekton tërësinë teritoriale të saj”. “Kosova është shtet mikpritës që beson në lirinë e shprehjes dhe vlerat demokratike. Por në anën tjetër, Kosova dhe populli i saj respekton edhe shtetin ligjor në tërësinë territoriale të tij, dhe nderon institucionet e saja. Këto janë parime të palëkundura që Kosova gjithmonë do t’i nderojë, respektojë, e mbrojë”, shkroi Ramush Haradinaj, duke siguruar qytetarët e Kosovës, se “do të mposhtet çdo përpjekje për të kërcënuar këto parime fundamentale, për të cilat populli ynë sakrifikoi shumë”.
Por ishte lideri i partisë më të madhe opozitare LDK, Isa Mustafa, i cili duke iu referuar deklaratave të Vuçiqit për liqenin e Ujmanit, shkroi se “Presidenti i Serbisë nuk mund të flasë për resurset e Kosovës”. “Problemi nuk qëndron në faktin se një president i një vendi fqinj po e viziton vendin tonë, sepse në një logjikë normale ajo do të ishte e natyrshme, ashtu siç do të ishte e natyrshme që Presidenti ynë të vizitojë Serbinë. Por, është e papranueshme që një president i një vendi fqinj flet për resurset tona natyrore si të ishin të tijat dhe për tokën tonë si tokë të tij. Sa është e papranueshme që Presidenti ynë në mënyrë jokushtetuese, i kurthuar në grackat serbe dhe të atyre që ishin kundër pavarësisë së Kosovës, të shpreh pretendime territoriale ndaj një vendi fqinj, sepse këtu gjen hapësirë sjellja e papranueshme dhe hegjemoniste e Vuçiqit”, u shpreh Isa Mustafa. Ai thotë se “Kosova ka territorin e saj, mbi të cilin e ka shpallur pavarësinë dhe ky territor nuk është i negociueshëm me askënd për aq sa nuk është e negocueshme pavarësia e Kosovës”.
/DeutscheWelle