Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka vendosur të mos marrë në shqyrtim dy ankesat e grupimeve në Partinë Demokratike për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Grupimi i Enkelejd Alibeajt kundërshtoi një vendim ndërmjetës të KQZ-së që u njohu të drejtën të përdorin logon dhe vulën, por kërkoi që një deklaratë ku shprehej vullneti për zgjedhje të lira dhe të ndershme të firmoset nga Lulzim Basha.
Sipas grupimit të Bashës, letra është firmosur nga i autorizuari Enkelejd Alibeaj por që nuk u pranua nga Ilirjan Celibashi.
Sipas KAS, kërkesa e Alibeajt nuk është pranuar për shkak se KQZ-ja nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje, por ka vetëm një vendim të ndermjetëm.
Në të njëjtën kohë është rrëzuar edhe kërkesa e grupimit të Berishës që kërkonte të njihet ish-kryeministri si kryetar i PD-së e për rrjedhojë të përdorë vulën dhe logon e kësaj partie.
Sipas KAS-it, kërkesa e tij nuk mund të pranohet për shkak se mungon legjitimiteti.