3 shtator 2015 – Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të mikpresë nesër pasdite poetë dhe artdashës, të cilët do të jenë pjesë e promovimit të vëllimit me poezi malli “Vulë uji”, nga autori arbëresh Zef Kjaramonte.
Poeti që jeton dhe punon në Palermo është më shumë i njohur si studiues i Europës Juglindore dhe si autor i vëllimeve “Ne vijmë nga Shqipëria”, “Toka e Kostandinit: bizantinë, arabë, normanë dhe shqiptarë”, etj.
Kritiku Piero Longo shkruan në hyrje të librit se ai është “thuajse një biografi sintetike në vargje, ku historia personale, dashuria, përditshmëria dhe kujtesa e së kaluarës përbëjnë një humus poetik që kthehet në një këngë”.
Autori është mjaft i njohur edhe për leksionet dhe seminaret në Universitetet e Selanikut dhe Prishtinës, si dhe për referimet e shumta në Itali, Shqipëri, Kosovë, Francë, Mal i Zi dhe Maqedoni.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka një përvojë të mirë në organizimin e veprimtarive muzikore, ndërsa kjo është hera e parë që ai mirëpret një veprimtari letrare – poetike.
/portali DurresLajm/