Indonezia nën tripletën e katastrofave natyrore. Pas tërmetit dhe cunamit që preku ishullin, ka qenë radha e shpërthimit të vullkanit Soputan në veri të ishullit Sulawesi që shkundi tokën. Si pasojë u krijuar një shtëllungë tymi dhe hiri që ka arritur në rreth 6 mijë metra lartësi.

Ndërkohë që autoritetet kanë bërë thirrje popullsisë të qëndrojë larg nga vullkani në një rreze prej të paktën 4 km. Por gjithashtu është bërë e ditur se për momentin nuk është parë e nevojshme të kryhet evakuimi i popullsisë.

Vullkani Soputan bëhet kështu aktiv 5 ditë pas tragjedisë së dyfishtë të tërmetit dhe cunamit që deri tani kanë lënë pas 1407 viktima dhe një situatë dramatike. Sipas OKB janë 200 mijë persona që kanë nevojë për ndihma urgjente, ndër ta dhjetëra mijëra fëmijë.

Mungojnë shërbimet jetike dhe ndihmat humanitare, numërohen 66 mijë ndërtesa të rrëzuara e shkatërruara, zona të tëra ende të izoluara. Kjo situatë ka sjellë dhe përplasjen e banorëve me policinë, të cilët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Ndërkohë që rreth 5000 mijë persona kanë sulmuar aeroportin, me shpresën për të lënë ishullin, por avionët aktualisht transportojnë vetëm të plagosurit.