Një 27-vjeçar nga Tropoja është arrestuar nga policia e Tiranës ditën e djeshme. Policia thotë se në pranga u vu shtetasi Tauland Neçaj pasi nëpërmjet komunikimit telefonik dhe aplikacioneve të rrjeteve sociale ka shtrënguar me anë të kanosjes shtetasin me iniciale P.S., për ti paguar 10 000 euro, shumë të cilën shtetasi P.S. do t’ia jepte në datën 30.05.2017 në Tiranë.
“Ky shtetas më datë 30.05.2017, në Tiranë, në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë për të ndaluar por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi në sens të kundërt me mjetin e tij tip “Touareg”, me targa AA 864 RH, duke dëmtuar tri automjete. Me ndërhyrjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit pas disa minutash është bërë e mundur kapja e tij”, sqaron policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Touareg”, 4 aparate telefoni celulare dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa.
Në ngarkim të shtetasit Tauland Neçaj janë referuan materialet proceduriale Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprat penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Shkatërrimit të Pronës” si dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 109/b , 283, 150 e 236 të Kodit Penal.
Operacioni për kapjen e të riut, i koduar “Messenger”, është kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, njofton policia.





