Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook të cilës ia ka bashkëngjitur edhe videon e mëposhtme, ka njoftuar se policia ka intervenuar dhunshëm ndaj protestuesve që po vinin nga Shqipëria, për të marrë pjesë në protestën e opozitës në Kosovë.
“Policia i ndaloi ata në kufi për të mos lejuar hyrjen e tyre dhe përdori dhunën për t'i shpërndarë.
Qeverisë së Kosovës, e orientuar që ta lejojë futjen e Serbisë në Kosovë, po i pengon ardhja e motrave dhe vëllezërve tanë nga Shqipëria, për të protestuar në mbrojtje të Republikës së Kosovës.
Policia që nga mëngjesi ka filluar me provokime të rënda ani pse çdo konventë ndërkombëtare e obligon që të sigurojë të drejtën e pjesëmarrjes së lirë të njerëzve në protesta.
Ndalimi dhe përdorimi i dhunës ndaj protestuesve që po vinin nga Shqipëria, është veprim antikombëtar dhe i kundërligjshëm”, shkruan VV.