11 nëntor 2015 – Një histori e ngjashme me atë të agjentit 007. Ky nuk është skenari i prodhimit hollivudian të radhës, por përmbajtja e raportit të Agjencisë Ndërkombëtare Antidoping për çështjen e dopingut që ka përfshirë Rusinë.
324 faqe në të cilat detajohen të dhënat sipas të cilave, në rastin e Rusisë ka pasur “Doping shtetëror”, çka do të thotë se atletët kanë marrë substanca të ndaluara të ndihmuar nga instancat shtetërore. 23 kapituj të bazuar në prova dhe fakte ku kreu i hetimit, 73-vjeçari kanadez Dick Pound, nisi gjithçka nga zero në muajin janar dhe i finalizoi hetimet në muajin nëntor. Dëshmi direkte dhe indirekte, dokumente sekrete dhe prova tepër të rezervuara. Brenda 9 muajve WADA bëri gjithçka për të zbërthyer mekanizmin e këtij aparati për të cilin Rusia mendohet se ka investuar shumë burime njerëzore dhe financiare.
Aktualisht, WADA ka pezulluar punën e degës satelit në Moskë përgjegjëse për kontrollin e 20 disiplinave të ndryshme sportive. Pak orë më vonë, drejtori i degës rajonale Grigory Rodchenkov u shkarkua nga detyra.
Hetimi zbulon një realitet që mendohej i largët, ai i sistemit Sovjetik të viteve 70-80. Nuk bëhet fjalë për KGB-në por për shërbimin sekret FSB edhe pse thelbi mbetet pothuajse i njëjtë. Në Moskë dyshohet se ekziston një laborator fantazmë, rival i degës së WADA-s. Ky laborator mendohet se ka një teknologji të avancuar dhe njihet me emrin “Laboratori i komisionit të sportit moskovit për identifikimin e substancave të ndaluara te atletët”. Njësia në fjalë menaxhohet nga drejtuesit vendorë dhe është ndërtuar në zonën industriale, rreth 10 km larg qëndrës. Si drejtor është identifikuar Giorgi Gezhanishvili dhe nga zyra e tij ka në varësi 6 persona. Në teori me laboratorin e WADA-s nuk ka pasur marrëdhënie.
Në letër, qëllimi i këtij laboratori ka qenë identifikimi i atletëve me substanca të ndaluara por mesa duket, kjo njësi ka bërë pikërisht të kundërtën duke fshehur provat dhe duke mos i treguar asgjë laboratorit të WADA-s në Moskë.
Gjithsesi, kjo është thjesht maja e ajsbergut të skandalit që mendohet se është më i madhi në historinë e atletikës. Gjatë ditëve të ardhshme pritet të dalin në shesh të tjera fakte që kryqëzojnë zyrtarët e Kremlinit në lidhje me këtë çështje.
/portali DurresLajm/