Beteja për kandidatin republikan për president paralajmëron fushatën për Shtëpinë e Bardhë të muajve të ardhshëm. Një lojë e luajtur shumë djathtas fushës konservatore, me premtime shfuqizimi ligjesh të miratuara nga Obama për temat e abortit, mjedisit dhe reformës së instituteve financiare.

 

Ja temat kryesore të programit të Partisë Republikane dhe dallimet mes kandidatëve brenda partisë mbi këto pika:

Aborti dhe shëndetësia

Të gjithë kandidatët betohen se duan të shfuqizojnë reformën shëndetësore të Barack Obamës, që parashikon sigurimin shëndetësor të detyrueshëm dhe mbulimin për 40 milion amerikanë të cilët deri sot janë të pasiguruar. Të gjithë kandidatët janë kundër abortit, por me ngjyrime të ndryshme. Michele Bachmann, Newt Gingrich, Ron Paul dhe Rick Santorum kanë firmosur impenjimin për të mos i besuar poste institucionale atyre që nuk deklarohen hapur kundër abortit. Bachmann dhe Paul mbështesin edhe projekt-ligjin për të trajtuar embrionin si “person”, gjë që do të ndalonte çdo tip fekondimi artificial. Bachmann, Perry dhe Santorum duan të ndalojnë abortin edhe në rastet e përdhunimit të femrave dhe e incestit, duke dënuar si kriminalë mjekët që praktikojnë abortin.

Energjia dhe mjedisi

Të gjithë kandidadët duan të anullojnë sistemin e “cap and trade”, të miratuar nga Barack Obama, që detyron ndërmarrjet që ndotin më shumë të paguajnë më shumë – normativë që qoftë Newt Gingrich qoftë Mitt Romney e kishin pranuar përpara, por sot, në fushatën elektorale, e hedhin poshtë. Michele Bachmann, Ron Paul dhe Rick Santorum duan të lejojnë kërkimet për naftë deri në parkun natyror “Arctic National Wildilfe Refuge” në Alaska, ku sot karotazhet janë të ndaluara për mbrojtjen e mjedisit dhe kafshëve të rralla. Vetëm Jon Huntsman beson se qenia njerëzore e ka fajin për ngrohjen klimatike globale. Mitt Romney beson në ngrohjen klimatike, por nuk është i sigurt nëse ka ardhur për faj të njeriut. Bachmann dhe Gingrich duan të shfuqizojnë deri edhe Entin për Mbrojtjen Mjedisore (për shkak të kostove të larta të tij).

Imigracioni

Të gjithë kandidatët janë kundër amnistisë për 11 milion (e më shumë) klandestinë që ndodhen në SHBA: Barack Obama kishte premtuar në fushatën elektorale një projekt për legalizimin, por nuk u bë asgjë dhe madje, gjatë mandatit të tij janë rritur dëbimet. Të gjithë janë dakort për fortifikimin e kufirit me Meksikën, edhe pse Jon Huntsman pranon se është “e neveritshme”. Vetëm Rick Perry dhe Ron Paul janë kundër fortifikimit, por Ron Paul kërkon të thërriten të gjithë ushtarët amerikanë nëpër botë për t'u angazhuar gjatë kufirit. Të dy kandidatët janë nga Texas, një shtet në kufi me Meksikën, ku bumi ekonomik ka ardhur edhe nga imigracioni. Përkundrazi, Newt Gingrich dhe Jon Huntsman janë dakort për një projekt legalizimi të imigrantëve: “Duhet gjetur një rrugëdalje midis amnistisë dhe dëbimit”.

Lufta dhe paqja

Vetëm Ron Paul don tërheqjen e menjëhershme nga Afghanistan dhe propozon një ulje drastike të të gjitha shpenzimeve ushtarake, shkak për super-borxhin. Vetëm Michele Bachmann është kundër tërheqjes së shpejtë sepse “do të hidhte poshtë gjithçka që kemi fituar në luftën kundër terrorizmit”. Të gjithë të tjerët janë për tërheqjen në mënyrën më të sigurtë dhe të shpejtë të jetë e mundur, por sipas interesave ushtarake; plani i Barack Obama parashikon fillimin e tërheqjes këtë vit, duke përfunduar brenda 2014. Të gjithë kandidatët mbështesin një politikë më shumë “muskuloze” ndaj Iranit të nuklearizuar, dhe vetëm Ron Paul – që është kundër shpenzimeve për luftra – e ka përjashtuar mundësinë e një sulmi, ndërsa gjashtë të tjerë e marrin në konsideratë. Por Newt Gingrich sygjeron se, para çdo aksioni ushtarak duhet një “luftë sekrete” për të shkatërruar vendndodhjet bërthamore, duke përfshirë edhe eliminimin e shkencëtarëve iranianë.

Taksat

Të gjithë kandidatët, përveç Jon Huntsman, kanë firmosur një angazhim për të mos rritur taksat, por gjithsecili paraqet recetën e tij personale. Mitt Romney dhe Newt Gingrich janë për një politikë “pro Wall Street”; që të dy duan të eliminojnë taksat mbi “capital gains”, dividentët dhe interesat, dhe Gingrich don të ulë me 12.5% “corporate tax” (taksa mbi bizneset, që sot rrotullohet midis 20-30%). Michele Bachmann dhe Rick Perry duan të fiksojnë “corporate tax” në 20%, por Bachmann mbështet edhe një taksë minimale mbi fitimin për të gjithë, “sepse sot gjysma e amerikanëve nuk paguan asgjë”. Ron Paul kërkon heqjen qoftë të taksës mbi fitimin, qoftë të IRS, domethënë Tatimet (!?), pra enti që mbledh taksat, dhe përkundrazi propozon “Fair Tax”, një taksë mbi konsumin që do të zëvendësonte qoftë taksat personale qoftë ato mbi bizneset.

Wall Street

Të gjithë kandidatët mbështesin shfuqizimin e reformës së Wall Street miratuar nga Barack Obama – e ashtuquajtura ligji Dodd-Frank – që ka vendosur më shumë kontrolle për të shmangur risqe të reja reçesioni (rregullimi i “hedge funds”, detyrimi për bankat për fonde rezervë më të mëdha, mbrojtja e konsumatorëve), por, përkundrazi, do të frenonte zhvillimin për shkak të pengesave të tepërta. Rick Santorum ka llogaritur që kostot për “biznesin e reformave” kanë kaluar 100 milion dollarët. Por Jon Huntsman mendon se gjashtë bankat më të mëdha të SHBA janë kaq të mëdha saqë janë “një rrezik për taksapaguesit”, sepse shtetit do t'i duhej t'i shpëtonte përsëri, sipas teorisë së “too big too fail” (“janë tepër të mëdha për t'i lënë të falimentojnë”), teori e denoncuar edhe nga Obama. Ron Paul kërkon eliminimin e Federal Reserve, “që ka krijuar piramidat financiare”. Newt Gingrich do të kënaqej vetëm me heqjen nga puna të presidentit të Federal Reserve, Ben Bernanke.

 

Humbësit: Bachmann, Huntsman e Perry

Mes 4 dhe 19 janarit janë tërhequr nga gara tre kandidatë. E para ka qenë Michele Bachmann, që – pas ëndrrave të thyera të Hillary Clinton dhe të Sarah Palin – bëri të perëndojë për të tretën herë shpresa për një presidente amerikane të parë femër. Duke arritur e gjashta në zgjedhjet e brendshme në Iowa, ku ka grumbulluar vetëm 5% të preferencave, përfaqësuesja e Tea Party (krahu më nacionalist i Partisë Republikane, ai që nuk sheh me sy të mirë as Wall Street as financën e lartë) ka vendosur të mos vazhdojë garën. Megjithatë, Bachmann nuk ka humbur rastin të sulmojë me forcë Obamën, duke e akuzuar se “ka vënë në rrezik mbijetesën e SHBA” dhe duke pohuar se “zgjedhjet presidenciale të 2012 mund të jenë të fundit, para se të shkohet drejt rrugës së socializmit”. Hapi mbrapa i Bachmann mund të favorizojë kandidatin katolik Rick Santorum, drejt të cilit mund të rrjedhin votat e zgjedhësve të ish senatores.

Pas “kandidates femër” është tërhequr i ashtuquajturi “kandidati kinez”, Jon Huntsman, i cili arriti vetëm i treti në zgjedhjet e brendshme në New Hampshire, shteti ku bazonte të gjitha shanset e tij. Ish guvernatori i Utah, Huntsman mund të mburrej me një experiencë ambasadori në Kinë, pra fuqia rivale me të cilën SHBA duhet të përballet sot për sot. Por as baza elektorale as anëtarët e Partisë Republikane nuk ia falin se kishte pranuar detyrën në Pekin, që i’u propozua nga Barack Obama. Huntsman ka pozicione tepër centriste krahasuar me nevojat e Partisë Republikane aktuale, që synojnë në pozicione të përcaktuara mirë në fushën ideologjike dhe fetare. Sidoqoftë, duket se ish ambasadori ka një “plan B”, dhe domethënë ambicien për t’u bërë sekretar i Shtetit.

Në fund, gara për nominimin republikan ka qenë braktisur edhe nga guvernatori i Texas, Rick Perry, i cili ka njoftuar se do të mbështesë Newt Gingrich, duke e quajtur “një konservator vizionar që mund të transformojë vendin tonë”. Perry, i cili ka marrë rezultate të këqija qoftë në zgjedhjet e brendshme në Iowa qoftë në New Hampshire, do të kujtohet se ka deklaruar që “Turqia është e qeverisur nga terroristë islamikë” dhe se ka kërkuar përdorimin e avionëve të luftës për të ndaluar imigracionin klandestin përgjatë kufirit meksikan: pozicione tepër ekstremiste edhe për vetë republikanët amerikanë…