Në ditën e fundit të merkatos, do të luhet natyrisht edhe seria e fundit e “telenovelës” Mauro Icardi, me ish-kapitenin e Interit që pritet të largohet në huazim një vjeçar drejt kampionatit francez ose atij spanjoll.
Bashkëshortja e Icardit, Wanda Nara braktisi mbrëmjen e djeshme emisionin sportiv “Tiki Taka” në Italia 1, pasi tha se gjërat po lëvizin me shpejtësi dhe se duhet të punojë për të konkretizuar transferimin e të shoqit.
“Më duhet të lëviz, pasi duhet të punoj deri në fund për zgjidhjen e kësaj situate. Janë në lojë dy skuadra, por asnjëra italiane. Ishte edhe opsioni Boca Juniors, por duket i pamundur momentalisht. Padia? Në rast largimi, padia bie menjëherë. Marrëdhëniet e mia me shoqërinë zikaltër janë gjithmonë e më të mira”, deklaroi Wanda para se të lërë studion e emisionit, për t’u marrë me negociatat për transferimin e Icardit.
Ndërkohë mediat italiane kanë zbuluar se opsioni i parë dhe më i mundshëm është ai i transferimit të argjentinasit në kampionatin francez, ku po kërkohet me ngulm nga Paris Saint Germain, që po përballet me dëmtime në repartin e avancuar.
Leonardo është ofruar për të marrë Icardin në huazim me të drejtë blerjeje për shifrën e 65 milionë eurove, opsion ky i pranuar edhe nga Interi, por jo nga sulmuesi argjentinas, që kërkon vetëm huazimin një vjeçar.
Nga ana tjetër, në garë është edhe Valencia, por mbetet vetëm opsioni i fundit për Icardin, që nuk është se e ka me qejf të kalojë një vit në “Mestalla” dhe për më tepër, klubi spanjoll nuk bën dot asnjë lëvizje pa shitur më parë sulmuesin Rodrigo.
Afati i fundit për të zyrtarizuar lëvizjet në merkato është ora 22:00 e mbrëmjes së sotme dhe natyrisht që koha nuk premton, por para së gjithash, Icardi duhet të firmosë zgjatjen e kontratës me Interin, që të huazohet për një sezon.





