SHKODER, 13 prill 2013 – Gazeta e madhe amerikane Washington Post ka publikuar një reportazh të përgatitur nga Associated Press në lidhje me përmbytjet në Nënshkodër. Në shkrim thuhet se fshatarëve po u sos durimi për shkak se kanë më shumë se një muaj nën ujë.
“Ata marrin miliona euro duke shitur energjinë e prodhuar nga uji që shihni në oborrin tim,” thotë Hil Gjocaj nga fshati Obot. “Por asnjë cent nga këto para nuk ka ardhur këtu për të më mbrojtur mua dhe biznesin tim nga uji",- shton ai.
Fshatari nga Oboti tregon se ka investuar rreth 1 mijë euro në sera po i gjithë mundi i tij ka shkuar dëm. 6 mijë hektarë tokë dhe më shumë se 700 shtëpi janë përmbytur në Shkodër nga uji që arrin lartësinë deri në 1 metër.
Fshatarët akuzojnë autoritetet e energjetikës se kanë grumbulluar qëllimisht ujë me shumicë në diga në verë dhe reshjet e dimrit i kanë kapur në surprizë.
“Nuk ka pasur kurrë përmbytje në pranverë”,- thotë 83- vjeçari Pjetër Gjocaj. “Unë dhe gruaja ime jemi burgosur në shtëpi prej një muaji”.
“Përmbytjet erdhën kur ishim duke prerë barin. Shumë bagëti gati sa nuk ngordhën”,- thotë Denard Franja, një fermer. “Autoritetet na kanë kompensuar vetëm për përmbytjen e parë në vitin 2010. Kësaj here nuk u dukën fare”.
Oboti është vetëm 5 km larg rrugës kombëtare, por tani duhet rreth gjysëm ore ta përshkosh këtë distancë me një varkë të vogël. Pjesa më e madhe e shtëpive janë investime të viteve të fundit, të ngritura nga emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në perëndim.
Banorët e kësaj zone janë përmbytur 3 herë në 4 vitet e fundit dhe situate rrezikon të përsëritet sërish nëse autoritetet nuk ndërhyjnë. Megjithëse autoritetet kanë shpërndarë ndihma në ushqime për banorët e përmbytur, këta të fundit shqetësohen për të ardhmen, pasi i gjithë investimi që kanë bërë në bujqësi dhe blegtori rrezikon t’u dëmtohet përgjithmonë.
“Ndërsa vitet e tjera vinin na shihnin, këtë herë autoritetet nuk kanë ardhur fare”,- rrëfejnë banorët.
/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





