Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar të gjitha përfaqësitë diplomatike të SHBA-së në mbarë botën që të ndërmarrin “menjëherë” vlerësime të sigurisë, në funksion të situatës së përshkallëzuar në Lindjen e Mesme dhe rrezikut për pasoja zinxhir në rajone të tjera.

Sipas një kabllogrami të brendshëm të siguruar nga Washington Post, të gjitha misionet diplomatike janë udhëzuar të thërrasin Komitetet e Veprimit Emergjent (EAC), struktura ndërdisiplinore që analizojnë kërcënimet dhe planifikojnë masat përkatëse të reagimit, si dhe të rishikojnë gjendjen aktuale të sigurisë.

Dokumenti mban firmën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe thekson se urdhri është dhënë nga nënsekretari për menaxhimin, Jason Evans. Edhe pse urdhra të ngjashëm janë shpërndarë javët e fundit për misionet në Lindjen e Mesme, kjo konsiderohet hera e parë që masa shtrihet në nivel global për shkak të përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.

wp

Departamenti i Shtetit nuk ka dhënë komente të detajuara mbi dokumentin, duke e cilësuar publikimin e komunikimeve të brendshme si “të papërshtatshëm”. Megjithatë, zyrtarët theksuan se mbledhjet e EAC janë pjesë standarde e protokolleve për menaxhimin e rrezikut dhe përgatitjen ndaj emergjencave.

Zhvillimi vjen në një kohë kur disa ambasada amerikane janë bërë objekt sulmesh nga Irani dhe grupet e lidhura me të, pas nisjes së fushatës së bombardimeve SHBA-Izrael në fund të shkurtit. Si pasojë, disa misione diplomatike janë mbyllur përkohësisht, ndërsa personeli amerikan është tërhequr nga një sërë vendesh.

Ndër incidentet më serioze përmendet sulmi me dron ndaj ambasadës amerikane në Riad të Arabisë Saudite, i cili ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në strukturë, përfshirë shembje të pjesshme të çatisë dhe ndotje nga tymi.

Edhe pse shumica e kërcënimeve janë përqendruar në Lindjen e Mesme, incidente të izoluara janë raportuar edhe jashtë rajonit, përfshirë të shtëna me armë zjarri pranë konsullatës amerikane në Toronto dhe një shpërthim në afërsi të ambasadës në Oslo.