Një tjetër humbje e turpshme për Arsenal, një tjetër humbje e turpshme për Arsene Wenger i cili përgjatë gjithë ndeshjes duhet të shihte aeroplanë që kalonim mbi stadium me banderolën “Wenger Out”. Wenger ik, kjo është edhe njëherë tema e ditës teksa Arsenal pëson humbjen e shtatë në Premier League kundër një West Brom fantastik.

Vendasit triumfuan duke luajtur si një ekip dhe duke shfrytëzuar goditjet standarde, diçka që e kanë bërë gjatë gjitha sezonit duke u pozicionuar në vend të tetë të Premier League. Arsenal vazhdon rënien e lirë, tashmë rrezikon seriozisht një vend në Top 4 që do t’i mundësonte Champions League. Një atmosferë e mrekullueshme në “Hawthorns” teksa lojtarët e West Brom mundohen të sulmojnë që në minutat e para duke u inkurajuar edhe nga tifozët vendas tepër entuziastë. Një ndeshje e hapur me aksione nga të dyja krahët por mundësia e parë vjen për West Brom kur Nyom merr krahun e majtë i vetëm duke dribluar disa kundërshtarë por pasimi i tij i fundit ishte i pasaktë.

Në minutën e 12’ janë mikpritësit ata që zhbllokojnë rezultatin, si shumicën e rasteve, pas një goditje këndore. Pas një krosi të bukur në shtyllën e parë është qendërmbrojtësi Dawson ai që kërcen mbi të gjithë duke dërguar topin në rrjetë. Por vetëm tre minuta më pas Alexis Sanchez barazon rezultatin. Pas një pasimi fantastik të Granit Xhakas, Sanchez stopon topin pozicionohet dhe godet me forcë topin nga brenda zonës duke prekur traversën përpara se të përfundojë në rrjetë. Ndeshja vazhdon të jetë e bukur dhe rastet për gol nuk mungojnë për të dyja skuadrat por pjesa e parë përfundon me rezultatin 1:1.

Në pjesën e dytë trajneri Pulis vendos të fusë në fushë uellsianin Robson-Kanu i cili ia shpërblen me herën e dytë që prek topin pas një rrëmuje në zonë. Ndeshja bëhet akoma më e bukur dhe më agresive me West Brom që nuk mendon për të mbrojtur rezultatin për kërkon të shënojë sërish dhe Arsenal që sulmon me shumë forca për të rikthyer barazimin.Por janë vendasit ata që arrijnë të shënojnë sërish duke bërë një hap të sigurt drejt fitores. Pas një krosi të mrekullueshëm të McClean është sërish Dawson që ndodhet në zemër të zonës duke kërcyer sërish mbi të tjerët duke gozhduar topin me kokë drejt portës. Një West Brom fantastik në “Hawthorns”.