Një funksion i dobishëm vjen në WhatsApp për ata që nuk u pëlqen të dëgjojnë mesazhe zanore ose ata që kanë probleme me dëgjimin dhe nuk mund t’i dëgjojnë ato.

Është transkriptimi i mesazheve audio, i cili mund të jetë gjithashtu i dobishëm në situatat kur dëgjimi i audios është i vështirë ose i papërshtatshëm.

Përditësimi, aktualisht i përhapur globalisht, aktualisht do të mbështesë vetëm mesazhe audio në anglisht, portugalisht, spanjisht dhe rusisht.

Kur zbaton transkriptimin, WhatsApp siguron privatësinë e përdoruesit.

”Tekstet përpunohen në nivel lokal, vetëm në pajisjen e marrësit, pa dërguar apo marrë të dhëna nga interneti dhe duke u siguruar kështu që askush, përfshirë Metën, të mos mund të aksesojë përmbajtjen vokale apo të transkriptuar”, shpjegoi Meta.

Siç shpjegon kompania në blogun zyrtar, për të aktivizuar funksionin do t’ju duhet ta aktivizoni atë te cilësimet.

Pastaj do t’ju duhet të zgjidhni një gjuhë nga ato të disponueshme.

Për të transkriptuar një mesazh të vetëm zanor, thjesht mbajeni të shtypur dhe zgjidhni opsionin “transkriptoni”.

Më pas mesazhi do të shfaqet në të njëjtën dritare bisede me përdoruesin.

Kompania paralajmëroi se mesazhi “transkriptimi nuk disponohet” mund të shfaqet gjithashtu nëse cilësimet e gjuhës së transkriptimit nuk përputhen me gjuhën e mesazhit zanor ose kur disa fjalë nuk njihen për shkak të zhurmës në sfond.