Whoopi Goldberg ka reaguar publikisht pasi emri i saj u përmend në dokumentet e publikuara së fundmi lidhur me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Gjatë transmetimit të së martës në emisionin The View, Goldberg deklaroi:
“Në emër të transparencës, po – emri im është në dosje!”
Ajo lexoi një email të majit 2013, ku përmendej emri i saj në lidhje me një kërkesë për një avion për të udhëtuar drejt Monaco, për të marrë pjesë në një event bamirësie.
Sipas emailit, kërkesa për avion ishte refuzuar nga Epstein, i cili ishte përgjigjur: “Jo, faleminderit.”
Goldberg theksoi se nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me të.
“Nuk isha e dashura e tij, nuk isha shoqja e tij. Madje isha shumë e madhe në moshë për të. Njerëzit po përpiqen të më përfshijnë padrejtësisht,” u shpreh ajo.
Aktorja shtoi se nuk ka hipur kurrë në avion dhe se pretendimet që po qarkullojnë janë të pavërteta.
Edhe bashkëmoderatorja e saj, Joy Behar, ndërhyri duke theksuar se përmendja e një emri në dokumente nuk do të thotë domosdoshmërisht përfshirje direkte, pasi në dosje gjenden shumë emra të përmendur në email-e apo artikuj të palëve të treta.
Goldberg ka qenë gjithashtu kritike ndaj mënyrës si shoqëria reagoi ndaj skandalit Epstein, duke theksuar më herët se shumë persona – përfshirë gra – kanë qenë bashkëpunëtore duke mos reaguar ndaj asaj që po ndodhte.
Jeffrey Epstein u hetua fillimisht në vitin 2005 dhe më pas pranoi fajësinë për sigurim të një të miture për prostitucion, duke vuajtur 13 muaj burg.
Në vitin 2019 ai u akuzua për trafikim seksual të të miturve dhe komplot për trafikim seksual. Epstein vdiq në burg po atë vit, në pritje të gjyqit.
Bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, Ghislaine Maxwell, është dënuar me 20 vite burg për trafikim seksual.





