“Wikileaks” publikoi ditën e hënë më shumë se 1,7 milionë kabllograme të diplomacisë amerikane dhe raporte të Shërbimeve Sekrete, që datojnë që nga viti 1970.
Në këto raporte, përfshihen detaje se ish-kryeministri indian, Rajiv Gandhi, ishte ndërmjetës në një tregëti madhore armësh dhe për ish-kryeministren e ndjerë të Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher.
Megjithatë, ndryshe nga publikimet e së shkuarës, dokumentat nuk kanë qenë të koduara, por vetëm të sistemuara në arkiva të ndryshme amerikane.
Themeluesi i faqes i ka ndarë dokumentat në arkiva dhe i ka publikuar në mënyrë të tillë, që të jenë më lehtësisht të shfletueshme dhe të kërkueshme informacionet, bazuar mbi një motor kërkimi.
Ndërkohë themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange kërkoi strehim politik në ambasadën ekuadoriane në Londër në muajin qershor 2012, për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku ai përndiqet formalisht për dy akuza përdhunimi.
”Wikileaks”, një faqe e formuar prej Assange, ka publikuar që prej vitit 2010 dokumenta të rezervuara të administratës amerikane, pasi siguroi dosjet në një mënyrë ilegale.





