TIRANE, 9 prill 2013– Ambasadori i OSBE, Eugen Wollfarth, dhe ai i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, kërkuan sot marrjen e masave për respektimin e të drejtave të komunitetit rom në Shqipëri. Wollfarth dhe Sequi ishin të pranishëm në Qendrën “Romani Baxt”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Minoriteti rom në Shqipëri vuan nga diskriminimi i vazhdueshëm, mungesa e qasjes në shërbimet bazë dhe nga pamundësia për t’u përfaqësuar plotësisht në jetën politike, u shpreh Ambasadori Wollfarth, sipas të cilit, përfshirja politike dhe përfaqësimi i tyre është kyç. “Nuk duhet toleruar më gjatë fakti që romët nuk janë pjesë e sferës publike të këtij vendi dhe as e proceseve vendimmarrëse”, theksoi Wollfarth, duke nënvizuar marrjen e masave të veçanta dhe të menjëhershme për të siguruar që ata t’i gëzojnë plotësisht të të drejtave të tyre, si çdo qytetar tjetër shqiptar.
“Në këtë kontekst, mbrojtja nga diskriminimi nuk mjafton. U bëj thirrje të gjitha institucioneve të garantojnë që përfshirjen e romëve dhe kulturës së tyre në politikat dhe veprimtaritë e tyre, si dhe që romët të përfshihen edhe në mes radhëve të tyre”, shtoi Wollfarth, që ka apeluar edhe më parë për përfshirjen e romëve dhe grupeve të tjera minoritare në strukturat shtetërore si Policia dhe institucionet vendore.
Wollfarth theksoi më tej se “ kultura rome duhet ruajtur dhe zhvilluar si një pjesë përbërëse e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare të Shqipërisë”. Shumëllojshmëria e kulturës rome, gjuhës, muzikës dhe artit ka një vend qendror në trashëgiminë e pasur të Shqipërisë dhe mbarë Ballkanit.
Ambasadori Sequi, nga ana e tij, theksoi se duhet të ketë barazi dhe mundësitë duhet të jenë të njëjta për këdo. “Së bashku të sfidojmë diskriminimin ndaj komunitetit dhe kulturës rome. Nuk duhet të krijohen stereotipe, pasi rezultati është përjashtimi shoqëror”, tha Sequi, duke rikujtuar se respektimi i të drejtave të romëve është një nga kushtet e Shqipërisë për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.





