TIRANE – Në prag të përvjetorit të dytë të ngjarjeve tragjike të 21 janarit, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, thekson rëndësinë që drejtësia të vihet në vend, pa ndikime politike e në respekt të plotë të ligjit. Në një intervistë të shkurtër për zëdhënësen e OSBE-se në Vjenë, Cathie Burton, ambasadori Wollfarth nënvizoi se në demokraci duhet të ketë llogaridhënie. 

Ambasador, dy vjet pas ngjarjeve në Tiranë, a mund të më thoni se si ndiheni tani? 

Kujtimi i ngjarjeve të 21 Janarit mbetet ende shumë i gjallë. Pamë viktima në rrugët e Tiranës dhe pamë edhe një numër të madh protestuesish dhe policësh të plagosur. Ky kujtim është ende shumë i pranishëm. Shprehim dhembshurinë tonë, edhe timen personalisht, për familjet e viktimave dhe të të plagosurve. 

Si reaguat në atë kohë? 

E kishim shumë të vështirë t'u besonim syve tanë. Një prishje e tillë e rendit publik nuk është e zakontë në Shqipëri dhe në atë rast ishte e jashtëzakonshme. Ne kishim pak kohë që kishim mbërritur në Shqipëri: unë para pak muajsh, më pas ambasadori amerikan Alexander Arvizu, me të cilin isha atë ditë; ndërsa ambasadori i Bashkimit Evropian Ettore Sequi sapo kishte mbërritur. Që nga ai çast, ne reaguam bashkërisht si komunitet ndërkombëtar, ndaj këtyre ngjarjeve, të cilat ishin vërtet traumatike. 

Çfarë do të donit të shihnit tani? 

Është shumë e rëndësishme për familjet e viktimave si dhe të të plagosurve që drejtësia të vihet në vend. Kjo duhet të ndodhë në përputhje me shtetin e së drejtës. Në demokraci duhet të ketë llogaridhënie dhe Shqipëria është demokraci. Familjet e viktimave dhe të të plagosurve e meritojnë këtë drejtësi. Ajo duhet të vendoset shpejt, në mënyrë të paanshme, pa ndikim nga asnjë palë politike, duhet e respektuar në mënyrë të rreptë ligjin dhe, shpresojmë, brenda një kohe të shkurtër.