TIRANË, 26 mars 2013 – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, organizoi sot një drekë pune për deputetet e Kuvendit, për të vënë në dukje arritjet në promovimin e rolit të grave në jetën politike dhe për të nxitur rritjen e mëtejshme të përfaqësimit të tyre në legjislaturën e re. 

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka qenë një mbështetëse e fortë e rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike. Ne kemi zhvilluar programe për rritjen e kapaciteteve të grave në role drejtuese dhe kemi ndihmuar në komunikimin e deputeteve me zgjedhësit e tyre. Përveç kësaj, kemi ndërtuar struktura bashkëpunimi për afërsisht 1 500 gra nga politika në nivelin kombëtar e vendor, shoqëria civile dhe biznesi. Gëzohem kur shoh se të gjitha këto përpjekje po japin fryte dhe se deputetet janë pararoja e bashkëpunimit ndërpartiak,” tha Ambasadori Wollfarth, në veprimtarinë e sotme. 

Ambasadori i bëri apel partive politike që në listat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e qershorit të përfshijnë gratë në pozicione “të mira”. 
“Listat e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e qershorit do të hartohen së shpejti. Unë do të shpresoja dhe prisja të shihja një numër grash në pozicione ‘të mira’ në listat e partive, në përputhje me frymën e kuotës gjinore. Kjo, jo vetëm do të dërgonte një sinjal të fortë për angazhimin e partive në përmbushje të kuotës gjinore, por do të shërbente edhe si një nxitje e mëtejshme për pjesëmarrjen e grupeve që nuk janë të përfaqësuara sa duhet në jetën politike shqiptare,” shtoi ai.