TIRANË – Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, thekson rëndësinë që të ketë një atmosferë bashkëpunuese në KQZ, me pjesëmarrjen aktive të të gjithë anëtarëve. Deklarata e tij erdhi gjatë një takimi me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Tiranë, ku u shkëmbyen informacione dhe u bashkërenduan qëndrimet lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

Siç bën të ditur zyra e shtypit e OSBE-së, kryetarja dhe zëvendëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishin ftuar për të marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet. Pjesëmarrësit i shprehën KQZ-së mbështetje të vijueshme për zbatimin e paanshëm të kornizës zgjedhore. 

Ambasadori Eugen Wollfarth, bëri apel për shmangien e deklaratave dhe veprimeve që mund të çojnë në politizimin e punës së administratës zgjedhore. 

“Detyra e administratës së zgjedhjeve është të vërë në zbatim legjislacionin dhe procedurat përkatëse, në kohën e duhur dhe në mënyrë të paanshme, për të siguruar që zgjedhësit të kenë mundësinë që ta shprehin lirisht dhe me vërtetësi vullnetin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Veprimet dhe deklaratat që mund të çojnë në politizimin e punës së administratës zgjedhore janë të kundërfrytshme dhe duhen shmangur. Të gjitha palët duhet të dëshmojnë vullnetin e duhur politik për zgjedhjet që po vijnë”.- deklaroi Wollfarth. 

Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i përfaqësuesve të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht përpara zgjedhjeve për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet.
Një nga qëllimet kryesore të Grupit të Punës është të bashkërendojë projektet e bashkësisë ndërkombëtare të lidhura me zgjedhjet, për të shmangur dublimin dhe për të maksimizuar efikasitetin e tyre.