TIRANE, 27 maj 2013- Pas apelit të ambasadorit amerikan Arvizu, që seanca e pritshme e kuvendit të shfrytëzohet edhe për zgjidhjen e situatës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, edhe ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth, konsideron se funksionimi i plotë i institucionit zgjedhor duhet të jetë në krye të angazhimeve të partive politike. 

“E kam përmendur para disa ditësh pasja e një KQZ-je të plotë duhet të jetë në krye të listës së dëshirave. Ajo çka është më e rëndësishme, dëshiroj të them se ndiej një sens gjithmonë e më të madh konstruktiviteti këtu në vend, këtu në Shqipëri, në këto ditë të rëndësishme para zgjedhjeve, në këtë vit të rëndësishëm. Zgjedhjet dhe përgatitja e zgjedhjeve është një proces i rëndësishëm, ku qartas përfshihet KQZ-ja. Por edhe diskutimi nga partitë politike dhe liderët politikë rreth gjërave të tjera të rëndësishme që vijnë pas 23 Qershorit është shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm. Hapja e rrugës drejt integrimit të mëtejshëm evropian dhe, kështu, edhe drejt stabilizimit institucional, është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm, prandaj unë uroj të merret sa më shpejt, duke përfshirë këtu edhe parlamentin. Por do të doja të theksoja se kjo është një dëshirë imja, duke e konsideruar veten një mik të shqiptarëve, nuk është një apel. Çdo gjë që do të vendoset në parlament do të jetë një vendim i duhur dhe sovran dhe unë sigurisht shpresoj që të jetë në të mirë të shqiptarëve. Kuptohet që të ashtuquajturat ‘tri ligje’ janë shumë të rëndësishëm, por po aq e rëndësishme është edhe lufta ndaj korrupsionit, trafikimit dhe disa problemeve të tjera të vështira. Siç e thashë, ndjenja në rritje e konstruktivitetit bëhet gjithmonë e më e dukshme dhe unë do të doja ta shihja më shumë.”- u shpreh Wollfarth. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur disa herë shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen e krijuar në KQZ, e cila po funksionon vetëm me 4 anëtarë. Pak ditë më parë Ambasadori Arvizu theksoi se shpreson që partitë politike të shfrytëzojnë mundësinë e mbledhjes së Parlamentit, qoftë për votimin e tre ligjeve apo situatën në KQZ. 

Ndërkaq kryeministri Berisha iu përgjigj dje nga Elbasani thirrjes së ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, duke theksuar se “i respekton mendimet e miqve, por në fund është i detyruar të zbatojë ligjet e vendit”. Në këtë mënyrë kryeministri la të kuptohet se çështja e KQZ-së nuk do të diskutohet në seancën e kuvendit, e cila është thirrur për në 30 maj. 

Sot në Tiranë pritet të mbërrijë sërish Drejtori për Europën Qendrore dhe jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore. Çështja e KQZ-së pritet të jetë pjesë edhe e bisedimeve në takimet që zyrtari i DASH-it pritet të zhvillojë në Tiranë. 

Ngërçi në KQZ u krijua pas vendimit të mazhorancës për shkarkimin e anëtarit të LSI-së Ilirjan Muho, në kohën kur partia e kryesuar nga Ilir Meta vendosi të dilte nga qeveria dhe të bashkohej me PS-në në koalicionin parazgjedhor. Tashmë socialistët pretendojnë se ndërhyrja sipas tyre e dhunshme e shumicës me zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, mund të riparohet vetëm me një riformatim të Komisionit Zgjedhor. Por demokratët e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë, duke akuzuar opozitën se me lënien bosh të vendeve në KQZ kërkon të njollosë procesin zgjedhor.