Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, në vizitën që ka bërë në institucionet qendrore dhe lokale të qytetit të Durrësit, në takimin me kryebashkiakun Dako është prononcuar edhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm duke deklaruar se presidenti përveç konsensusit të palëve duhet të ketë staturën e një personaliteti të vlerësuar nga populli dhe ka kërkuar që kandidaturat për president të paraqiten brenda afatit të caktuar.

“Koha po afron dhe është koha për të përzgjedhur dhe propozuar kandidatët. Por, prezenca e OSBE-së në Shqipëri ua lë në dorë qytetarëve shqiptarë, partive politike dhe mençurisë politike shqiptare, që ta zgjedhin vetë presidentin e tyre. Është shumë e rëndësishme të zgjidhen personalitete që të mund të ushtrojnë detyrën e presidentit në mënyrë dinjitoze”,- theksoi Wollfarth.

I pyetur nga gazetarët për reformën zgjedhore Wollfarth ka thënë se nga komisioni i kësaj reforme pritet një draft që përmban edhe zgjidhjen e kërkesave të partive të vogla. Wolfarth ka kërkuar që të mos ketë vonesa në procedurat për zgjedhjen e Presidentit. Ai ka shtuar se ka shumë besim se anëtarët, bashkëkryetarët dhe i gjithë komisioni së bashku do të arrijnë të prezantojnë një draft të mirë, që nuk është e thënë të jetë pikërisht në atë ditë, por shumë shpejt sepse ka data të tjera të rëndësishme si zgjedhja e presidentit.