TIRANE- Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth është takuar sot me kryetaren dhe nënkryetarin e KQZ-së Lefteri Lleshi dhe Denar Biba.

Takimi po zhvillohet në ambjentet e KQZ-së ndërsa në fokus të bisedimeve do të jenë përgatitjet e zgjedhjeve të 23 Qershorit.

Në një mbledhje të Grupit Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet më datën 5 Shkurt, ku ishin të pranishëm edhe kryetarja dhe nënkryetari i KQZ-së ambasadori i OSBE-së Wollfarth ka kërkuar vendimarrje të paanshme të institucionit më të lartë zgjedhor në Shqipëri.

“Detyra e administratës së zgjedhjeve është të vërë në zbatim legjislacionin dhe proçedurat përkatëse, në kohën e duhur dhe në mënyrë të paanshme, për të siguruar që zgjedhësit të kenë mundësinë që ta shprehin lirisht dhe me vërtetësi vullnetin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Veprimet dhe deklaratat që mund të çojnë në politizimin e punës së administratës zgjedhore janë të kundërfrytshme dhe duhen shmangur. Të gjitha palët duhet të dëshmojnë vullnetin e duhur politik për zgjedhjet që po vijnë” është shprehur më herët ambasadori.

Ndërkohë pritet që pas takimit, ambasadori Wollfarth të japë edhe detajet për temat e diskutimit me përfaqësuesit e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.