Nga Dr. Bledar Kurti

Më 3 shkurt 1924 u nda nga jeta Woodrow Wilson, Presidenti i 28-të i SHBA.

Gjatë Konferencës së Paqes në Paris, 1919 – 1920, Presidenti Wilson pati ndikim të jashtëzakonshëm e vendimtar në ruajtjen e sovranitetit të Shqipërisë.

Më 9 dhjetor 1919, Franca dhe Anglia, pa praninë e Shteteve të Bashkuara, arritën një marrëveshje që i jepte Italisë mandatin ta shkëpuste Vlorën dhe që Greqia të merrte territorin përreth Gjirokastrës. Edhe veriu i Shqipërisë do copëtohej. Kjo do të sillte zhdukjen e Shqipërisë. Por Wilson qëndroi i vendosur se çështja e Shqipërisë nuk ishte e hapur për diskutim. Dhe se integriteti territorial i vendit tonë ishte i padiskutueshëm.

Ndaj ai do kujtohet gjithmonë si miku i madh i Shqipërisë, të cilin Fan Noli e vlerësoi si “një emër që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare,” ndërsa Faik Konica cilësoi se “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Presidentit Wilson një monument të pavdekshëm në zemrat e tyre.”

Lidershipi dhe shtetaria e tij gjatë Luftës së Parë Botërore, Platforma e tij prej 14 pikash, të cilat i hapën rrugën krijimit të Ligës së Kombeve e më pas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndikuan në paqen botërore e shërbejnë edhe sot në ruajtjen e paqes në botë dhe marrëdhëniet më të mira e më transparente midis shteteve.
“Më thuaj çfarë është e drejtë dhe unë do të luftoj për të,” tha Wilson. Dhe kjo mbetet një thirrje për çdo shtetar, drejtues apo edhe individ të thjeshtë në çdo kohë e në çdo vend.