Pak ditë pas betimit si president, Donald Trump i bëri presion homologut meksikan të hiqte dorë nga deklaratat publike se nuk do të paguante për murin ndarës përgjatë kufirit mes dy vendeve, në një telefonatë të kryer më 27 janar.
Kjo zbulohet nga transkriptet e publikuara të enjten nga “Washington Post”. Ato ofrojnë një qasje të rrallë ndaj bisedave private të një presidenti amerikan, teksa teston fuqitë e tij negociuese me homologët e huaj.
Telefonata me Enrique Pena Nieto u zhvillua 7 ditë pasi Trump mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Në të, ai u fokusua kryesisht në çështje të tregtisë dhe emigracionit, e tonet e bisedës u ashpërsuan kur u fol për murin.
Pena Nieto ka deklaruar shpesh se vendi i tij nuk do të paguante për ndërtimin e murit. Transkriptet treguan se presidenti amerikan e pranonte, që financimet do të vinin nga burime të tjera, por se ai nuk do të mund të negocionte nëse udhëheqësi meksikan do të vazhdonte ta sfidonte publikisht.
“Nuk mund t’ia thuash shtypit këtë gjë, pasi unë nuk do të mund të negocioj nën këto rrethana”, ishin fjalët e Trumpit. Në të njëjtën ditë, presidenti amerikan zhvilloi edhe një tjetër bisedë telefonike me kryeministrin australian, Malcom Turnbull, i cili u pezmatua pasi Trumpi refuzoi një marrëveshje për të pranaur emigrantët.
Transkriptet e publikuara në “Washington Post” tregojnë qartë nervozizmin e Trumpit, i cili i thotë homologut australian se telefonata e tij ishte më e bezdisshmja e ditës. Më vonë ai e mbylli telefonin në mënyrë të vrazhdë.