Greqia rinovon pretendimet mbi drejtat e veta për Zonat Ekonomike Ekskluzive (EEZ) dhe do të dërgojë në OKB një dokument zyrtar, ku theksohen koordinatat detare të vendit. Kjo me shpresën, se pasuria e detit do ta shpëtojë nga kriza ekonomike duke e bërë një furnizues të rëndësishëm energjie për Evropën. Kështu shkruan gazeta amerikane "Wall Street Journal".
Artikulli thekson ndër të tjera se javët e fundit, zyrtarë të lartë grekë kanë bërë një seri deklaratash, brenda dhe jashtë vendit, duke theksuar traktatin ndërkombëtar që iu jep të drejtat të deklarojnë ZEE, të drejtë të cilën Greqia deri kohët e fundit nuk e kishte ushtruar. Sipas gazetës, Athina po përpiqet të fitojë mbështetje nga kryeqytetet e tjera evropiane e në të njëjtën kohë promovon fushatën diplomatike në Kombet e Bashkuara, gjë që ka krijuar polemika me Ankaranë.
WSJ thekson se Greqia vazhdon me hapa të kujdesshëm për të shmangur ndonjë konfrontim dhe përdor procedurat e Kombeve të Bashkuara për të ndërtuar rastin e saj, me synim njohjen ndërkombëtare të zonës ekskluzive dhe përdorimin e 200 miljeve detare, duke pasur si bazë Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit, të cilën Turqia nuk e ka nënshkruar.
Një zyrtar i lartë grek ka thënë për "Wall Street Journal" se Athina dëshiron të konfirmojë të drejtat e saj, por nuk do të bëjë diçka që mund të shkaktojë trazira në rajon. "Deri tani ne jemi duke ecur ngadalë nëpër kanale ligjore", ka shtuar ai.
Nota Verbale që Athina depozitoi në OKB, pasi Turqia tha se do të japë licenca për kërkime në zonën e kontestuar në jug të Rodosit, do të pasojë me paraqitjen e dokumentit zyrtar që përshkruan koordinatat detare të vendit, hap që është prelud i një lëvizje të ardhshme për të deklaruar Zonën Ekonomike Eskluzive (ZEE). Turqia ka thënë se paditë e Greqisë "nuk kanë bazë në të drejtën ndërkombëtare", dhe se do të ndërmarrë hapa reciprokë në OKB.
Së fundi, gazeta duke iu referuar vizitës së presidentit francez, Francois Holande në Athinë në muajin shkurt, shkruan se ai e mbështet qëndrimin grek. Gazeta e argumenton këtë me deklaratën e presidentit francez sipas të cilit, "fushat e gazit që do të gjehen dhe shfrytëzohen, përfaqësojnë një mundësi për Greqinë dhe për Europën dhe unë besoj se në këtë çështje do të mbizotërojë e drejta ndërkombëtare dhe Ligji i Detit".
/Anila Jole, Balkanweb.com/