Greqia dhe Shqipëria vijojnë replikat në distancë për çështjen e Fredi Belerit. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, në një reagim në rrjetet sociale, thotë se çështja ndaj Fredi Belerit i takon drejtësisë shqiptare dhe nuk ka vullnet politik që e nxjerr nga burgu.
“Nuk ka mundësi që miqtë & fqinjët tanë grek të jenë të vetmit që kanë të drejtë,kur këmbëngulin në një kërkesë të rrëzuar nga gjykatat shqiptare dhe të qartë për miqtë e partnerët e tjerë, të cilët thonë se kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare! Organet e reja të drejtësisë shqiptare kanë folur qartë me vendimet e tyre dhe qeveria shqiptare ka folur qartë po ashtu:Çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtësia është një çështje e drejtësisë. Jo e qeverisë shqiptare. As e qeverisë greke. Homologut tim grek për të cilin kam shumë respekt, i kam thënë se për këtë çështje nuk duhet të niset nga ligji grek por nga ligji shqiptar. Dhe sipas ligjit shqiptar, s’ka vullnet politik që e nxjerr zotin Beleri nga burgu apo që fut noter në burg që ai të bëj betimin si kryebashkiak. Me keqardhje po kjo është kështu dhe vetëm kështu”.
Xhaçka iu përgjigj ministrit të Jashtëm të Greqisë me këtë deklaratë, i cili pas një mbledhje informale me ministrat e Jashtëm të BE-së, tha se çështja e Belerit në Shqipëri nuk ka të bëjë me gjyqësorin, por sipas tij është çështje e një vullneti politik.